Një grua ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu apartamentin e saj në lagjen Carabanchel, në jug të Madridit, në një kohë kur qyteti po përballet me ndërprerje të gjera të energjisë elektrike.

Sipas gazetës El País, hetimet paraprake të policisë spanjolle tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qiri, i përdorur për ndriçim gjatë mungesës së energjisë.

Shërbimi i emergjencës SAMUR konfirmoi se 13 persona të tjerë po marrin trajtim mjekësor, ndërsa pesë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spital.

Ndërkohë, rreth 200 qytetarë janë shpëtuar nga ekipet zjarrfikëse, shumica e të cilëve kishin mbetur të bllokuar në ashensorë për shkak të ndërprerjes së energjisë.