Një vajzë britanike 13-vjeçare është goditur brutalisht në fytyrë gjatë një sherri që shpërtheu në një hotel familjar në Santa Susanna të Spanjës, pasi ajo dyshohet se ishte ulur në një shezlong pa e ditur se ai po përdorej nga dikush tjetër.

Pamjet tronditëse të ngjarjes tregojnë adoleshenten me bikini jeshile duke u rrëzuar mbi një karrige dhe më pas duke u goditur disa herë nga një burrë, ndërsa turistë të shumtë të tmerruar dëgjohen duke bërtitur në përpjekje për të ndalur dhunën.

Sipas dëshmitarëve, disa pushues britanikë ndërhynë për ta mbrojtur vajzën, ndërsa agresori u mbajt me forcë për të mos u përfshirë më tej në përleshje. Madje, pretendohet se edhe punonjësit e hotelit ishin të frikësuar për të ndërhyrë mes kaosit.