Operacionet e kërkim-shpëtimit për gjashtë personat e zhdukur nga rrëshqitjet e dheut në Zelandën e Re janë ndërprerë, kanë njoftuar autoritetet.

Mbikëqyrësi i Policisë, Tim Anderson, tha se shpresat për t’i gjetur të gjallë janë shuar.

“Tragjikisht, tani është e qartë se nuk do të jemi në gjendje t’i kthejmë të gjallë në shtëpi”, deklaroi ai.

Mes personave të zhdukur janë edhe dy adoleshentë.

Anderson e cilësoi vendimin si një lajm tepër të hidhur për familjet dhe për dhjetëra persona që kanë punuar pa ndërprerje për ditë të tëra, duke shpresuar për një përfundim pozitiv.

Nga rrëshqitjet e dheut kanë humbur jetën dy persona, një grua e moshuar dhe nipi i saj, ndërsa gjashtë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Zelanda e Re është përballur me reshje të rrëmbyeshme shiu për disa ditë rresht, ndërsa parashikimet sinjalizojnë mot edhe më të lagësht gjatë fundjavës, çka ka rritur rrezikun për rrëshqitje të tjera.

Kryeministri Christopher Luxon vizitoi zonën e prekur të premten, duke vlerësuar mbështetjen e komunitetit lokal.

Ai tha se ishte “frymëzuese” të shihte solidaritetin e vendasve, të cilët po ndihmojnë në pastrimin e mbeturinave dhe dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Zona e Mali Maunganui-t konsiderohet vend i shenjtë për popullin maori, grupi i dytë etnik më i madh në Zelandën e Re, dhe është një nga kampingjet më të njohura në vend.

Vitet e fundit, kjo zonë është goditur në mënyrë të përsëritur nga rrëshqitjet e dheut.