Vala e fortë e të nxehtit që përfshiu Evropën Perëndimore në fund të qershorit shkaktoi një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë, me më shumë se 10 mijë viktima të regjistruara mbi nivelin normal sezonal. Të dhënat janë publikuar nga rrjeti evropian për monitorimin e vdekshmërisë, EuroMOMO.
Sipas raportit, nga 22 deri më 28 qershor u regjistruan 10.650 vdekje të tepërta në 27 vende evropiane. Pjesa dërrmuese e viktimave, mbi 9 mijë persona, ishin mbi moshën 65 vjeç, grupi më i rrezikuar nga temperaturat ekstreme.
Ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se rritja e papritur e numrit të vdekjeve lidhet drejtpërdrejt me valën e të nxehtit. “Një nivel kaq i lartë vdekshmërie në këtë periudhë të vitit është i pazakontë dhe është e vështirë të shpjegohet me faktorë të tjerë përveç temperaturave ekstreme”, deklaroi për Reuters Lasse Vestergaard, drejtues mjekësor në Institutin Statens Serum të Danimarkës.
Shkencëtarët argumentojnë se një episod i tillë do të kishte qenë pothuajse i pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Sipas tyre, ngrohja globale po i bën valët e të nxehtit më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.
EuroMOMO thekson se gjatë periudhës së analizuar nuk u identifikua asnjë faktor tjetër madhor, si një epidemi apo një valë e re e COVID-19, që të shpjegonte rritjen e vdekshmërisë. Përkundrazi, në tetë javët para episodit të nxehtësisë, të njëjtat vende kishin raportuar mesatarisht rreth 500 vdekje më pak se norma sezonale.
Temperaturat rekord krijuan gjithashtu probleme të shumta në disa shtete evropiane. Në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan rekorde të reja të nxehtësisë, ndërsa autoritetet u detyruan të përballeshin me ndërprerje të energjisë elektrike, mbyllje të shkollave dhe masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e popullsisë.
Megjithëse EuroMOMO nuk publikon statistika të detajuara sipas shteteve, të dhënat kombëtare tregojnë se Franca dhe Belgjika ishin ndër vendet më të prekura. Në Belgjikë, autoritetet shëndetësore raportuan nivelin më të lartë të vdekjeve gjatë një vale të nxehti që prej nisjes së regjistrimeve në vitin 2000.
Ndërkohë, një studim i përgatitur nga Imperial College London, Met Office dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër vlerëson se vetëm në Angli dhe Uells rreth 2.700 persona humbën jetën si pasojë e temperaturave ekstreme gjatë muajve maj dhe qershor. Sipas studiuesve, afro 42% e këtyre vdekjeve lidhen me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë rritur ndjeshëm intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit.
