Konflikti mes SHBA, Izrael dhe Iran po shkakton pasoja të rënda ekonomike në shkallë globale, ndërsa kostoja për bizneset ndërkombëtare ka kaluar tashmë shifrën e 25 miliardë dollarëve. Kështu thuhet në një analizë të publikuar nga Reuters, e cila paralajmëron se dëmet financiare pritet të thellohen më tej nëse tensionet vazhdojnë.
Një nga faktorët kryesorë që po godet ekonominë globale është situata në Strait of Hormuz, korridori më i rëndësishëm energjetik në botë, ku ndikimi dhe kontrolli strategjik i Iranit kanë sjellë tronditje në tregjet e energjisë dhe transportit detar.
Sipas Reuters, të paktën 279 kompani të mëdha nga SHBA, Evropa dhe Azia kanë raportuar pasoja direkte nga lufta, duke ndërmarrë masa emergjente si rritje çmimesh, ulje prodhimi, pezullim dividendësh, shkurtime të stafit dhe kërkesa për mbështetje shtetërore.
Mes kompanive që kanë sinjalizuar goditje financiare janë gjigantë si Toyota, Procter & Gamble, McDonald’s dhe prodhuesi malajzian i prezervativëve Karex.
Toyota paralajmëroi një goditje financiare prej rreth 4.3 miliardë dollarësh, ndërsa Procter & Gamble vlerëson se fitimet e saj mund të bien me afro 1 miliard dollarë për shkak të kostove shtesë dhe problemeve në furnizim.
Në të njëjtën linjë, drejtori ekzekutiv i Whirlpool Corporation, Mark Blitzer, e krahasoi situatën aktuale me krizën financiare globale, duke njoftuar përgjysmimin e objektivave vjetorë dhe pezullimin e dividendit të kompanisë. Sipas tij, ngadalësimi ekonomik po e bën gjithnjë e më të vështirë për bizneset të përballojnë kostot në rritje.
Ndikimi më i fortë po ndihet tek konsumatorët me të ardhura të ulëta, pasi rritja e çmimeve të karburantit po shton kostot e jetesës dhe po dobëson kërkesën në treg. Analistët paralajmërojnë se nëse çmimet e naftës vazhdojnë të rriten, inflacioni global mund të përshkallëzohet më tej.
Çmimi i naftës ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me periudhën para konfliktit. Kjo ka sjellë rritje të kostove të transportit, mungesa të lëndëve të para si alumini, heliumi dhe polietileni, si edhe probleme serioze në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Sipas raportit, sektorët më të ekspozuar ndaj krizës janë industria automobilistike, kimikatet, transporti detar, aviacioni dhe prodhimi industrial. Shumë kompani evropiane po përballen me presion të madh për shkak të kostove tashmë të larta të energjisë, ndërsa ekonomitë aziatike mbeten tepër të varura nga furnizimet energjetike të Lindjes së Mesme.
Ekspertët financiarë paralajmërojnë se ndikimi real i konfliktit ende nuk është reflektuar plotësisht në rezultatet financiare të korporatave. Edhe pse fitimet në tremujorin e parë mbetën relativisht të forta, projeksionet për muajt në vijim janë përkeqësuar ndjeshëm.
“Goditja e vërtetë në fitimet e kompanive ende nuk është parë plotësisht”, deklaroi Rami Sarafa, drejtues i Cordoba Advisory Partners, duke paralajmëruar se tremujorët e ardhshëm mund të sjellin pasoja edhe më të rënda për ekonominë globale.
