Gazetarja dhe moderatorja e njohur amerikane, Ellen DeGeneres, është larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është vendosur për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një intervistë të fundit në teatrin Everyman në Cheltenham, DeGeneres tha se vendimi për t’u zhvendosur u mor pas rizgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA. Ajo dhe bashkëshortja e saj, aktorja Portia de Rossi, kishin shkuar fillimisht në Angli vetëm për një qëndrim të përkohshëm, por pas rezultateve të zgjedhjeve vendosën të qëndrojnë aty përgjithmonë.

“Nisëm të rrimë këtu një ditë para zgjedhjeve. Të nesërmen morëm mesazhe nga miqtë tanë që qanin me emoji dhe kuptuam që Trump ishte rizgjedhur. Atëherë thamë: ‘Le të qëndrojmë këtu’,” tregoi DeGeneres, sipas raportimeve të BBC.

Gjatë fjalës së saj, DeGeneres u shpreh se jeta në Britani është shumë më e qetë dhe më e bukur se në SHBA. “Fshatrat, qytetet, arkitektura… gjithçka duket më e mrekullueshme. Është pastër, njerëzit janë më të sjellshëm dhe mënyra si trajtohen kafshët është më e mirë. Thjesht e dua këtë vend,” tha 67-vjeçarja.

DeGeneres, e cila është një nga figurat më të njohura të komunitetit LGBTQ, shtoi se nëse në SHBA do të revokohej ligji që njeh martesat e të njëjtit seks, ajo dhe De Rossi do të martoheshin sërish në Britani.

“Të jesh homoseksual në Hollywood është ende problem. Shumë njerëz kanë ende frikë,” përfundoi DeGeneres.

Deklaratat e saj erdhën pak ditë pasi ajo shprehu mbështetje për prezantuesen Rosie O’Donnell, që ishte kërcënuar nga Trump me revokimin e nënshtetësisë.