Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis përsëriti të dielën thirrjen drejtuar Turqisë që të tërhiqet nga “casus belli”, vendimi i parlamentit turk i vitit 1995 që parashikon mundësinë e luftës nëse Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në Egje përtej gjashtë miljeve detare.

“Pas tri dekadash, ka ardhur koha që ky kërcënim të tërhiqet. E ardhmja kërkon dialog dhe jo gjuhën e armëve,” shkroi Mitsotakis në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe fjalimit të mbajtur këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Greqia argumenton se Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit i njeh çdo shteti të drejtën të zgjerojë ujërat territoriale deri në 12 milje detare – një praktikë që edhe Turqia e ka ndjekur në Detin e Zi dhe Mesdheun Lindor.

Në fjalën e tij, Mitsotakis theksoi se Greqia shihet si forcë stabiliteti në Ballkanin Jugor dhe Mesdhe, një vend tërheqës për investime dhe nyjë energjetike për rajonin dhe Evropën. Ai nënvizoi se Athina shpenzon mbi 3% të PBB-së për mbrojtjen, të shtyrë edhe nga sfidat e sigurisë dhe marrëdhëniet e tensionuara me Turqinë.

“Po formohet një rend i ri botëror, me multilateralizmin nën presion. Përballemi me sfida të reja si ndryshimet klimatike, migracioni dhe inteligjenca artificiale. Bota po ndryshon dhe Greqia mbetet një shtyllë stabiliteti. Ne duam dialog dhe bashkëjetesë paqësore me fqinjët, por nuk jemi naivë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për kërcënimet dhe pasigurinë në rajonin tonë,” deklaroi kryeministri grek nga podiumi i OKB-së.