Dymbëdhjetë arrestime, operacione në disa shtete, veprimtari në pesë kontinente dhe sekuestrim i 4.2 tonëve drogë. Ky është epilogu i një aksioni ndërkombëtar policor, të zhvilluar në Mal të Zi dhe në Gjermani.

Ndër të arrestuarit në Mal të Zi është edhe S.F., për të cilin policia e këtij vendi bëri të ditur se është një nga drejtuesit e kartelit ballkanik. Mediat malazeze e identifikuan si Svetisllav Fillipoviç dhe ai dyshohet për prodhim, posedim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.

Ai përballet me një dënim deri në 15 vjet burg dhe, përveç kësaj, akuzohet edhe për tregti të paligjshme të armëve dhe materialeve shpërthyese.

Për të nuk ka shumë informacione, ndërsa gjatë publikimit të të dhënave për aksionin, policia evropiane, Europol, tha se në Mal të Zi është arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë.

Ai vjen nga Podgorica dhe është 47 vjeç, ndërsa që nga viti 2002 figuron si drejtor i kompanisë “Spectacular”, sipas regjistrit publik të të dhënave të biznesit “Company wall”.

Kjo kompani, deri më tani, ka pranuar 139 dërgesa nga 16 vende, përfshirë Ekuadorin, Ukrainën dhe Kolumbinë, tregojnë të dhënat e platformës Volza, e cila mbledh informacione për tregtinë globale.

Sipas saj, kompania ka importuar banane, shalqinj, fruta të thata dhe arra, ndërsa ndër furnizuesit e saj figuron edhe një kompani nga Hong Kongu.

Në vitin 2023, “Spectacular” gjeneroi të ardhura totale prej 664.206 eurosh.

Fillipoviç është gjithashtu një nga bashkëpronarët e kompanisë “Europayment”.

Llogaritë e të dyja kompanive janë bllokuar.

Përveç arrestimeve në Mal të Zi, katër persona u arrestuan edhe në Gjermani, por ende nuk ka shumë informacione rreth tyre.

Sipas policisë ndërkombëtare, Interpol, në Gjermani veprojnë disa grupe globale të krimit të organizuar, të cilat merren me një gamë të gjerë krimesh, si: trafikim i drogës, krime kundër pronës dhe kontrabandë e qenieve njerëzore.

“Të rrënjosur fort” në rrugët e trafikimit të kokainës

Të arrestuarit më 15 prill akuzohen për dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika e Jugut në vendet e Bashkimit Evropian, tha drejtori i Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, Llazar Shqepanoviç.

Sipas tij, ky grup kriminal siguroi dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës dhe kanabisit, si në Mal të Zi ashtu edhe në vende të tjera, si: Gjermania, Holanda, Belgjika, Bolivia dhe Tajlanda.

Ky operacion konfirmon se, pavarësisht goditjeve të shkaktuara nga operacionet e mëparshme, grupet ballkanike nuk janë zhdukur, por vazhdojnë aktivitetet e tyre, duke i përshtatur dhe rindërtuar zinxhirët e tyre logjistikë, thotë Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale për Luftën kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

“Grupet kriminale ballkanike mbeten të rrënjosura fort në rrugët tradicionale të trafikimit të kokainës, veçanërisht në linjën Amerikë Latine-Evropë, me Gjermaninë që është ende një nga tregjet kryesore”, thotë Gjorgjeviç.

Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare, si Europol dhe Interpol, si aktorë kryesorë në kontrabandën e kokainës nga vendet e Amerikës Latine – si Brazili, Kolumbia dhe Ekuadori – drejt tregjeve kryesisht të Evropës Perëndimore.

Por, përveç kokainës, u kontrabandua edhe kanabis – rreth 1.5 ton u gjet nga 12 sekuestrime të ndryshme.

Kanabisi, siç tha Europol-i, u kontrabandua në Bashkimin Evropian nga dhe përmes Shqipërisë, Tajlandës dhe Shteteve të Bashkuara.

Prania e kanabisit, shpjegon Gjorgjeviç, tregon se grupet kriminale të Ballkanit nuk specializohen vetëm në kokainë.

“Ato tashmë po veprojnë në mënyrë oportuniste dhe po hyjnë në tregje të tjera, ku ofrojnë një kanal të sigurt dhe fitime të mira”, shton ai.

Rreth 100 oficerë policie morën pjesë në operacionin e fundit dhe, përveç institucioneve gjermane dhe malazeze, mbështetje dhanë edhe Austria, Spanja dhe Europol-i.

Transporti me avion

Pas arrestimeve në Mal të Zi dhe në Gjermani, Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë ngriti aktakuzë kundër dhjetë personave.

Padia penale i ngarkon të dyshuarit me shitje, transportim dhe ndërmjetësim të përsëritur në shitjen e drogave narkotike – kokainë dhe kanabis – ndërsa një grup prej katër të dyshuarve akuzohet edhe për veprën penale të organizimit kriminal.

“Një i dyshuar urdhëroi dhe organizoi transportin detar ose ajror të ngarkesave me sasi të mëdha drogash narkotike – kokainë, kanabis dhe hashash – në Podgoricë, Gjermani, Bolivi, Tajlandë, Belgjikë dhe Republikën Dominikane”, deklaroi Zyra e Prokurorit.

Europol-i tha gjithashtu se grupi ka përdorur edhe trafikun ajror, përveç rrugëve detare.

Gjorgjeviç thotë se kjo tregon se këto rrjete po i përshtatin vazhdimisht metodat e tyre dhe po kërkojnë kanale të reja për kontrabandë.

“Përdorimi i trafikut ajror, duke përfshirë korrierët dhe aviacionin e përgjithshëm, shkakton shqetësim prej kohësh, por shkalla e tij ende nuk është e qartë plotësisht”, thotë Gjorgjeviç.

Përveç metodave të reja të transportit, grupet po i ndryshojnë edhe rrugët.

Kështu, një hulumtim i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, vitin e kaluar, tregoi se grupet e krimit të organizuar, anëtarët e të cilëve kanë origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përdorin një rrugë të re për të kontrabanduar kokainë nga Amerika Latine në Evropë, përmes vendeve të Afrikës Perëndimore.

Mali i Zi është strehë e dy klaneve kriminale, Kavaç dhe Shkalar, të cilat janë në konflikt që nga viti 2014, kur disa qindra kilogramë kokainë u zhdukën në Valencia.

Më shumë se 70 persona janë vrarë në konfliktet e tyre deri më tani. Vitin e kaluar, ky vend u rendit i dhjeti në Evropë në Indeksin Global të Krimit të Organizuar.

Përveç tij, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë gjithashtu në dhjetë vendet e para. Indeksi Global i Krimit të Organizuar vlerëson nivelin e krimit dhe rezistencën ndaj krimit të organizuar në 193 vende të botës./REL