Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar forcat e armatosura izraelite që të shkatërrojnë plotësisht atë që ai e cilësoi si infrastrukturën e Hezbollahut në jug të Libanit.
Gjatë një vizite te trupat izraelite të dislokuara në jug të Libanit, Netanyahu deklaroi se objektiv i operacioneve janë të gjitha strukturat që përdoren nga krahu ushtarak i Hezbollahut për të sulmuar veriun e Izraelit, përfshirë tunelet nëntokësore.
“Ky është urdhri, të mos mbetet asgjë në këmbë. Zbatojeni”, citohet të ketë thënë Netanyahu, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij në platformën X.
Netanyahu u bëri thirrje gjithashtu ushtarakëve izraelitë të veprojnë menjëherë sapo të identifikojnë një kërcënim, pa pritur urdhra të mëtejshëm.
Benjamin Netanyahu përjashtoi mundësinë e tërheqjes së trupave izraelite nga zonat që kontrollojnë në jug të Libanit, derisa Hezbollahu të çarmatoset plotësisht dhe të eliminohet çdo kërcënim.
