Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë një moment tensioni pas sulmit terrorist në plazhin Bondi të Sidneit. Në kalimtar australian shihet duke sulmuar fizikisht konkretisht duke shkelmuar në kokë njërin prej autorëve të masakrës.

Në video duket një burrë pa bluzë duke vrapuar mbi një urë për këmbësorë, aty ku policia kishte neutralizuar të armatosurit, dhe më pas duke shkelur fort në kokë njërin prej tyre, ndërsa bërtet fjalë fyese. Policia ndërhyri menjëherë dhe e largoi burrin nga vendngjarja.

Sipas raportimeve, personi i sulmuar ishte 50-vjeçari Shahid Akram, babai i 24-vjeçarit Naveed Akram, të dy të akuzuar për hapjen e zjarrit ndaj një turme që po festonte ditën e parë të Hanukkah në plazh. Babai u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa djali i tij u plagos dhe u arrestua.

Autoritetet kanë konfirmuar se të paktën 15 persona humbën jetën dhe rreth 40 të tjerë u plagosën në sulmin e së dielës mbrëma, ndërsa paralajmërohet se numri i viktimave mund të rritet. Dëshmitarët thanë se autorët qëlluan pa ndërprerje për rreth 10 minuta, përpara se të neutralizoheshin.

Sipas policisë, 24-vjeçari u ndalua fillimisht nga një kalimtar i guximshëm, i cili arriti ta rrëzonte dhe ta mbante nën kontroll deri në mbërritjen e forcave të rendit. Raportohet se i riu iu lut policisë të mos e qëllonin në momentet e fundit të rrethimit.

Hetimet zbuluan se në automjetin e autorëve u gjetën eksplozivë, të cilët nuk u përdorën dhe u çaktivizuan nga policia. Gjithashtu, dyshja posedonte të paktën gjashtë armë zjarri, të gjitha të licencuara ligjërisht, pavarësisht ligjeve të rrepta australiane për armët.

Autoritetet kanë bërë të ditur se njëri prej autorëve kishte qenë më parë në listën e mbikëqyrjes së Shërbimit Australian të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO), por nuk ishte vlerësuar si kërcënim i menjëhershëm.

Ngjarja është cilësuar zyrtarisht si një sulm terrorist.