Përplasje të reja të armatosura shpërthyen gjatë natës mes forcave pakistaneze dhe talibanëve afganë përgjatë qytetit kufitar Spin Boldak, duke detyruar qindra banorë të largohen. Të dyja palët konfirmuan shkëmbimin e zjarrit që zgjati rreth katër orë, duke akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit.
Katër persona humbën jetën në Afganistan, raporton BBC, ndërsa autoritetet pakistaneze raportuan tre të plagosur. Pamje nga treguan kolona njerëzish që largoheshin në këmbë dhe me automjete mes frikës se dhuna mund të përshkallëzohej më shumë.
Zëdhënësi i kryeministrit pakistanez akuzoi talibanët për “të shtëna të paprovokuara”, ndërsa një zëdhënës i talibanëve deklaroi se ishte Pakistani ai që “edhe një herë nisi sulmet”.
Tensionet mbeten të larta pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia më pak se dy muaj më parë.
Islamabadi prej kohësh akuzon talibanët për strehimin e grupimeve të armatosura që kryejnë sulme në territorin pakistanez, akuzë që Kabuli e mohon, duke thënë se Pakistani po fajëson të tjerët për problemet e veta të sigurisë.
Javën e kaluar, delegacionet e të dy vendeve u takuan në Arabinë Saudite për raundin e katërt të bisedimeve drejt një marrëveshjeje më të gjerë paqeje, por pa arritur një rezultat konkret. Megjithatë, burime të njohura me procesin konfirmuan për BBC se palët kanë rënë dakord të vazhdojnë zbatimin e armëpushimit, edhe pse situata në terren mbetet tejet e brishtë.
