Një dozë e vetme e vaksinës eksperimentale PA-915 ka dhënë rezultate mbresëlënëse në uljen e stresit dhe depresionit tek modelet laboratorike, duke ofruar shpresë për trajtime të reja pa varësi. Depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë ndër çrregullimet më të përhapura të shëndetit mendor, dhe vlerësohet se prek rreth 284 milionë njerëz në mbarë botën. Aktualisht ekzistojnë disa opsione trajtimi si për depresionin, ashtu edhe për çrregullimet e ankthit, përfshirë ilaçet farmakologjike dhe psikoterapitë specifike. Megjithatë, këto strategji terapeutike nuk janë efektive për të gjithë pacientët. Studiues nga Universiteti i Osakës, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Kobe, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Hamamatsu dhe institute të tjera kanë zhvilluar së fundmi një molekulë të re me emrin PA-915, që mund të jetë premtuese për trajtimin e depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të lidhura me stresin.

Në studimin e publikuar në revistën Molecular Psychiatry, ata treguan se molekula ul sjelljet ankthioze dhe depresive tek minjtë e ekspozuar ndaj niveleve të larta të stresit. “Çrregullimet e lidhura me stresin, si depresioni dhe ankthi, janë ndër problemet më të rëndësishme mjekësore”, shkruajnë Yusuke Shintani, Atsuko Hayata-Takano dhe kolegët e tyre. “Sipas gjithnjë e më shumë provave, aktivizimi i polipeptidit që stimulon adenilat-ciklazën e hipofizës (PACAP) dhe receptorit të tij PAC1 është i përfshirë në boshtin e stresit dhe zhvillimin e çrregullimeve të lidhura me stresin. Së fundmi kemi zhvilluar PA-915, një antagonist jo-peptidik me peshë të vogël molekulare dhe afinitet të lartë për receptorin PAC1, i cili ka treguar se ndalon ndjeshëm sjelljet e ngjashme me ankthin tek minjtë e ekspozuar ndaj stresit akut.”

Qëllimi kryesor i studimit ishte të kuptohej si ndikon administrimi i PA-915 tek sjellja e minjve me prirje të ngjashme me ato të pacientëve me depresion. PA-915 është ilaç që bllokon receptorët PAC1, të cilët dihet se luajnë rol në reagimet ndaj stresit dhe ankthit. Për të shkaktuar stres të lartë, studiuesit ekspozuan minjtë ndaj një miu agresiv e dominant, u dhanë kortikosteron (hormoni kryesor i stresit tek brejtësit) dhe i izoluan nga minjtë e tjerë. “PA-915 përmirësoi kohën e lëvizjes në testin e notit të detyruar tek minjtë e ekspozuar ndaj stresit”.

Tek minjtë e ekspozuar ndaj disfatës sociale të përsëritur dhe stresit kronik, PA-915 përmirësoi sjelljet e ngjashme me ankthin dhe depresionin, si edhe funksionet njohëse. Vlerësimet u bënë përmes testeve të ndriçimit, fushës së hapur, labirintit të ngritur, preferencës për saharozë, testit të notit të detyruar, labirintit Y dhe njohjes së objekteve të reja. Gjithashtu, studiuesit krahasuan efektin e PA-915 me ketaminën dhe fluoksetinën. Rezultatet treguan se PA-915 zvogëlon sjelljet depresive dhe ankthioze tek minjtë nën stres kronik. Minjtë u treguan më aktivë në ujë, orientoheshin më mirë në labirint dhe tregonin kujtesë më të mirë.

Efektet antidepresive të molekulës ishin afatgjata, të ngjashme me ato të raportuara më parë për ketaminën. PA-915 nuk shkaktoi efektet anësore të zakonshme të disa antidepresivëve, si hiperaktivitet, varësi apo dëmtime njohëse. “Në testin e preferencës për saharozë, u vu re një efekt antidepresiv për 8 javë pas një doze të vetme të PA-915, i ngjashëm me efektin e ketaminës”, raportuan autorët. Tek minjtë, që nuk ishin nën stres, PA-915 nuk shkaktoi asnjë anomali të sjelljes si hiperaktivitet apo varësi. Rezultatet aktuale tregojnë se PA-915 përmirëson sjelljet ankthioze dhe dëmtimet njohëse, duke shfaqur efekte të shpejta dhe të qëndrueshme antidepresive në modelet e minjve me depresion dhe ankth të shkaktuar nga stresi kronik, çka ofron një mundësi premtuese për trajtimin e çrregullimeve të lidhura me stresin.