Një zbulim i pazakontë shkencor ka bërë që mikroorganizmat e nxjerrë nga një mumje 5 mijë vjeçare të përdoren për herë të parë në prodhimin e bukës, ndërsa studiuesit po shqyrtojnë mundësinë që me të njëjtën maja të prodhojnë edhe birrë.

Majaja është izoluar nga mbetjet e Ötzi, mumja e famshme e njohur si “Njeriu i Akullit”, e cila u zbulua në vitin 1991 në Alpet pranë kufirit mes Italia dhe Austria.

Shkencëtarët që studiuan mikroorganizmat e ruajtur në trupin e Ötzit arritën të izolojnë lloje të veçanta majaje dhe t’i përdorin ato për të përgatitur një bukë me maja. Sipas mikrobiologut Mohamed Sarhan, eksperimenti rezultoi i suksesshëm, pasi brumi u fry normalisht brenda 24 orëve, në mënyrë të ngjashme me majanë moderne.

Megjithëse rezultatet e para nuk ishin perfekte, studiuesit e konsiderojnë eksperimentin një hap të rëndësishëm për të kuptuar më mirë mikroorganizmat e lashtë dhe përdorimet e tyre të mundshme.

Tashmë ekipi kërkimor po shqyrton një projekt të ri: prodhimin e birrës me të njëjtën maja të nxjerrë nga mumja prehistorike. Sipas studiuesve, ky mund të jetë një tjetër aplikim interesant i mikroorganizmave të ruajtur për mijëra vite në akull.

Analizat gjenetike tregojnë se majat jetojnë vetëm në temperatura të ulëta dhe ka shumë gjasa që ato të kenë hyrë në trupin e Ötzit menjëherë pas vdekjes së tij, duke mbetur të ruajtura falë kushteve të veçanta të ngrirjes.