Një zbulim i pazakontë ka habitur komunitetin shkencor, pasi eksploruesit kanë identifikuar një ishull të ri pranë brigjeve të Antarktidës, i cili deri më tani ishte ngatërruar me një ajsberg të ndotur.
Zbulimi u bë nga një ekip i Institutit Alfred Wegener (AWI), i cili ndodhej në bordin e akullthyesit “Polarstern” gjatë një ekspedite në Detin Weddell. Sipas raportimeve, kushtet e vështira atmosferike dhe një stuhi e fortë detyruan ekipin të kërkonte strehim pranë ishullit Joinville, moment kur ata vunë re një masë të çuditshme ngjyrë kafe në mes të një zone të shënuar në hartat detare si zonë e rrezikshme për navigim.
Fillimisht, shkencëtarët menduan se bëhej fjalë për një ajsberg të mbuluar me papastërti. Simon Dreutter, specialist për studimet nënujore, tregoi se objekti dukej si një “ajsberg i pistë” kur u pa nga larg përmes dritares së anijes.
Megjithatë, pas një vëzhgimi më të afërt, ekipi kuptoi se objekti ishte në të vërtetë një masë shkëmbore. “Sa më shumë afroheshim, aq më e qartë bëhej se kishim përpara një ishull”, u shpreh Dreutter.
Shkencëtarët zbulojnë ishullin misterioz që nuk ishte
Credit: Christian Haas
Për të konfirmuar zbulimin, studiuesit përdorën dronë dhe pajisje sonarike për matjen e terrenit nën ujë. Rezultatet treguan se ishulli ka rreth 130 metra gjatësi dhe 40 metra gjerësi, ndërsa ngrihet 16 metra mbi nivelin e detit. Sipas ekspertëve, gjatësia e tij është pothuajse sa ajo e Piramidës së Madhe të Gizës në Egjipt.
Shkencëtarët thanë se ishulli nuk ishte identifikuar më herët për shkak të shtresës së akullit që e bënte të dukej si pjesë e ajsbergëve përreth në imazhet satelitore.
Deri tani, ishulli ende nuk ka marrë një emër zyrtar, ndërsa në rrjetet sociale përdoruesit kanë nisur të japin sugjerime të ndryshme për emërtimin e tij.
