Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të hënë në fshatin Flamouli të Trikalës, ku një 18-vjeçar ka vrarë nënën e tij në mënyrë makabre, duke e mbytur me një peshqir. Detajet e reja kanë tronditur opinionin publik në Greqi.
Sipas raportimeve nga mediat greke, krimi ndodhi në shtëpinë ku jetonin së bashku djali dhe nëna, pasi ajo kishte ardhur për të kaluar disa ditë me të birin. Sipas burimeve hetimore, viktima ishte ulur e qetë në divan duke ndjekur televizorin, kur djali i saj papritur është ngritur, ka shkuar në banjo, ka marrë një peshqir dhe ia ka vendosur në qafë nënës, duke e mbajtur fort derisa ajo ndaloi së marrë frymë.
Pas aktit të rëndë, 18-vjeçari ka telefonuar vetë policinë dhe ka pranuar krimin. “Ejani të më arrestoni”, thuhet se ishte deklarata e tij për oficerët në telefon. Menjëherë, patrullat policore kanë shkuar në vendngjarje dhe e kanë gjetur viktimën pa shenja jete. Trupi i saj u dërgua në Larisë për autopsi, ndërsa ekzaminimi paraprak konfirmoi shenjat e mbytjes në zonën e qafës.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se i riu nuk ka pasur histori të mëparshme me probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e konflikteve të shpeshta mes tij dhe nënës, të cilat dyshohet se kanë qenë motivi kryesor i krimit. Prindërit e të riut ishin të divorcuar, dhe ai jetonte me të atin, ndërsa raportet me të ëmën thuhet se ishin të tensionuara kohët e fundit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin lokal dhe më gjerë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e krimit makabër.