Është rënduar ndjeshëm bilanci i tërmetit të fuqishëm që goditi Indonezinë një ditë më parë. Autoritetet raportojnë se numri i viktimave ka arritur në 53, ndërsa mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve dhe rrezikut nga lëkundjet e tjera.
Në zonat më të prekura është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa qeveria ka nisur dërgimin e ushqimeve, ujit dhe ndihmave të tjera për popullsinë.
Edhe organizatat humanitare janë mobilizuar. Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe kanë bërë të ditur se po përgatiten për të dërguar furnizime dhe ekipe në komunitetet e goditura.
Tërmeti me magnitudë 7.7 ndodhi në një prej zonave sizmike më aktive të Indonezisë. Rajoni përshkohet nga sistemi i çarjeve të njohur si Flores Back-Arc Thrust, i krijuar nga ndërveprimi dhe presioni i vazhdueshëm mes pllakave tektonike.
Historia tregon se zona është përballur edhe më parë me lëkundje shkatërruese. Në vitin 1992, një tërmet me magnitudë 7.5 shkaktoi dëme të mëdha në të njëjtin rajon.
Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një brez ku përplasja e pllakave tektonike shkakton aktivitet të shpeshtë sizmik dhe vullkanik.
Një nga katastrofat më të rënda që ka goditur vendin ndodhi në vitin 2004, kur një tërmet me magnitudë 9.1 pranë Sumatrës gjeneroi një cunami gjigant. Rreth 170 mijë njerëz humbën jetën vetëm në Indonezi dhe dhjetëra mijëra të tjerë në vendet përreth.
Operacionet e emergjencës vijojnë, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet dhe po punojnë për strehimin e banorëve të evakuuar.
