Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e djeshme në një ndërtesë katërkatëshe në Cornaredo, në periferi të Milanos, duke shkaktuar vdekjen e tre personave.
Viktimat janë një çift i moshuar, 88 dhe 82 vjeç, si dhe djali i tyre 55-vjeçar. Të tre banonin në të njëjtin apartament ku dyshohet se ka nisur flakët.
Autoritetet raportojnë se rreth 40 banorë u evakuuan nga godina, ndër të cilët tetë persona u plagosën dhe u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Në total, 17 familje u detyruan të braktisin banesat e tyre.
Në vendngjarje janë angazhuar Karabinierët e Komandës Provinciale të Milanos, si dhe zjarrfikësit e njësisë Corsico dhe grupi hetimor i Brigadës së Zjarrfikësve, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Apartamenti ku u regjistrua vatra e flakëve është bllokuar për hetime.
Sipas raporteve mjekësore, 19 persona iu nënshtruan ekzaminimeve për thithje tymi, por fatmirësisht asnjëri prej të plagosurve nuk ndodhet në gjendje kritike.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal.