Pushimet e një grupi miqsh në Filipine u kthyen në momente tmerri pasi zbuluan një gjarpër të rrezikshëm të fshehur brenda tualetit të dhomës së hotelit ku po qëndronin.
Ngjarja ndodhi në një resort në zonën Salvador Benedicto, brenda Parkut Kombëtar Negros Occidental. Sipas mediave të huaja, një prej pushuesve hyri në banjë dhe vuri re diçka të pazakontë në ujërat e tualetit. Fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një problem me shkarkimin, por situata mori tjetër drejtim kur pas tërheqjes së ujit u shfaq koka e një gjarpri.
Në videon që u publikua më pas në rrjetet sociale, shihet momenti kur një prej turistëve hap me kujdes kapakun e tualetit dhe përpiqet ta largojë zvarranikun me ndihmën e një shkopi. Pak çaste më vonë, gjarpri del jashtë dhe përballet me personat që ndodheshin në banjë.
Një nga pushuesit tregoi se në fillim askush nuk e besoi shokun e tyre, i cili kishte dalë i tmerruar nga tualeti duke paralajmëruar për praninë e gjarprit. Fillimisht grupi mendoi se bëhej fjalë për një gjarpër uji të padëmshëm, por ekspertët e zvarranikëve që panë videon dyshuan se ishte një Kobra mbretërore, e konsideruar si një nga gjarpërinjtë më të rrezikshëm në botë.
Autoritetet lokale thanë se raste të ngjashme janë raportuar edhe më herët në këtë zonë, ndërsa dyshohet se zvarraniku mund të ketë shpëtuar nga mbajtja e paligjshme në robëri. Hetimet për incidentin vijojnë.
