Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kaliforni, ku një shoferе është ndaluar nga policia jo për shkelje të rënda rrugore, por për shkak të targës së automjetit të saj, e cila rezultoi të ishte e bërë me dorë. Gruaja po drejtonte një automjet tip Nissan Sentra dhe, sipas autoriteteve, dokumentacioni i saj ishte i rregullt dhe sjellja në trafik korrekte. Megjithatë, gjatë kontrollit rutinë, një efektiv i California Highway Patrol vuri re se targa e pasme e makinës nuk ishte zyrtare.

Në vend të targës standarde të lëshuar nga shteti, drejtuesja kishte vendosur një version artizanal, të shkruar me dorë dhe të ngjitur në pjesën e pasme të mjetit. Targa përmbante edhe numrin identifikues të automjetit, si dhe mbishkrimin California, duke imituar pamjen e një targe origjinale. Megjithatë, detajet nuk ishin të plota dhe disa elementë rezultonin të improvizuar.

Policia ka sqaruar se, pavarësisht karakterit të pazakontë dhe kreativ të rastit, ligji është i qartë dhe lejon vetëm përdorimin e targave zyrtare të lëshuara nga autoritetet shtetërore. Për këtë arsye, shoferja është gjobitur me 197 dollarë amerikanë.