Një ngjarje e pazakontë ka tronditur spitalin Tameside Hospital në Manchester, ku një mjek anestezist ka lënë pacientin nën anestezi në sallën e operacionit për të kaluar disa minuta intime me një infermiere në një dhomë ngjitur.
Mjeku 44-vjeçar, Suhail Anjum, i kishte kërkuar një infermiereje tjetër që të mbikëqyrte pacientin, i cili priste t’i kryhej një ndërhyrje të planifikuar. Por ai u zbulua nga një koleg tjetër, i cili e gjeti në “momente të nxehta” me një infermiere në një sallë aty pranë.
Ngjarja ka hapur një proces disiplinor ndaj tij para Shërbimit të Tribunalit të Mjekëve, ku Anjum rrezikon të humbasë të drejtën për të ushtruar profesionin.
Vetë mjeku ka pranuar faktet, duke i cilësuar si një “sjellje të gabuar”, të nxitur nga një periudhë e vështirë personale dhe stresi i madh. Ai ka theksuar se veprimi nuk solli pasoja për pacientin, megjithatë rregullatorët e shëndetësisë e kanë konsideruar sjelljen e tij si tepër të papranueshme.