Një çift britanik është arrestuar në jug të Spanjës pasi dyshohet se braktisi tre fëmijët e mitur në një dhomë hoteli për të marrë pjesë në një festë, ndërsa një prej tyre, një foshnjë vetëm gjashtë muajshe, dyshohet se rezultoi pozitive për kokainë gjatë ekzaminimeve mjekësore.

Sipas raportimeve të mediave britanike dhe spanjolle, autoritetet ndaluan një burrë 41-vjeçar dhe një grua 28-vjeçare në zonën e Benalmadenës, pranë Malagës, me akuzën e braktisjes së fëmijëve.

Policia ndërhyri pasi tre të miturit, përkatësisht gjashtë muajsh, dy dhe katër vjeç, u gjetën të vetëm në dhomën e hotelit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kushtet në ambientet ku ndodheshin fëmijët ishin shqetësuese, ndërsa fëmija më i madh, vetëm katër vjeç, po përpiqej të kujdesej për dy të vegjlit.

Pas ndërhyrjes së autoriteteve, fëmijët u dërguan në një spital pediatrik në Malaga për kontrolle mjekësore, ndërsa shërbimet sociale të Andaluzisë morën përkohësisht kujdestarinë e tyre.

Policia spanjolle ka konfirmuar arrestimin e çiftit, por nuk ka komentuar zyrtarisht mbi raportimet që lidhen me rezultatin pozitiv të foshnjës për kokainë, duke theksuar se hetimet janë ende në zhvillim.

Prindërit pritet të dalin para gjykatës në orët e ardhshme, ku do të vendoset masa e sigurisë ndaj tyre.