Një 71-vjeçar nga Utah, i cili fillimisht u vetëshpall se kishte vrarë komentatorin konservator Charlie Kirk, tani përballet me akuza të rënda për shfrytëzim seksual të të miturve.

George Zinn, i përshkruar nga autoritetet si një provokator i njohur në ngjarje politike, u arrestua dhe u akuzua të hënën për katër akuza të shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Hetuesit gjetën në telefonin e tij më shumë se 20 imazhe të fëmijëve të moshës deri në 5 vjeç, pjesërisht të zhveshur dhe duke pozuar në mënyrë seksuale.

Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Utah, Zinn pranoi se merrte kënaqësi seksuale nga shikimi dhe ndarja e këtyre materialeve me të tjerë, duke shtuar se “mosha e preferuar e viktimave” ishte nga 5 deri në 12 vjeç.

Gjatë kontrollit të telefonit të Zinn, oficerët zbuluan fillimisht imazhe të vajzave para pubertetit, të veshura provokuese. Një urdhër gjykate i lejoj autoriteteve të zgjeronin hetimin, duke gjetur mbi 20 foto të paligjshme dhe mesazhe tekstuale me përmbajtje grafike, ku ai ndante materiale me persona të tjerë.

Charlie Kirk, 31 vjeç, themelues i Turning Point USA, u qëllua për vdekje gjatë një eventi në Universitetin Utah Valley. Pas të shtënave, Zinn iu afrua policisë duke bërtitur: “E qëllova, tani qëlloni edhe mua”.

Ai ishte i paarmatosur dhe u mor menjëherë në paraburgim. Hetuesit dyshojnë se ai bërtiti këtë deklaratë për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të ndihmuar autorin e vërtetë të arratisej. Për këtë arsye, ndaj tij rëndon edhe akuza për pengim të drejtësisë.

Autori i dyshuar i vrasjes është identifikuar si Tyler Robinson, 22 vjeç, i cili u arrestua dy ditë më vonë dhe akuzohet për vrasje të rëndë dhe krime të tjera.