Në të dielën e fundit të Pashkëve, Papa Françesku përcolli një mesazh të fuqishëm paqeje dhe respekti për të gjithë njerëzit, pak ditë para ndarjes së tij nga jeta.
Në fjalimin e tij të fundit publik, ai u ndal tek vuajtjet në Gaza, duke përmendur në veçanti komunitetin e krishterë që përballet me pasoja të rënda nga konflikti. “Lufta sjell vdekje dhe shkatërrim,” tha Papa, duke e cilësuar situatën si një “katastrofë humanitare”.
Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për rritjen e antisemitizmit në mbarë botën, duke e quajtur këtë fenomen “thellësisht shqetësues”.
“Çfarë etje e madhe për vdekje dhe dhunë mbizotëron në kaosin e konflikteve që përfshijnë botën sot,” deklaroi ai me ton të dhimbshëm.
Në vijim, Papa Françesku shprehu mbështetje për të dyja palët në konfliktin izraelito-palestinez: “Shpreh solidaritetin tim me popullin izraelit dhe palestinez. Thirrni një armëpushim, lironi pengjet dhe ndihmoni një popull që vuan nga uria dhe që aspiron një të ardhme paqeje.”
Ai përmendi edhe luftën në Ukrainë, duke ftuar të gjitha palët që të vazhdojnë rrugën drejt paqes: “Ju inkurajoj të ndiqni përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Ky ishte një mesazh i fundit, i fortë dhe prekës nga Papa Françesku – një thirrje universale për paqe, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
