Meksika, si një nga bashkëorganizatoret e Kupës së Botës FIFA, njoftoi të premten se viti shkollor mund të përfundojë 40 ditë më herët se parashikimi.
Ky vendim ngjalli kritika të shumta, përpara se Presidentja Claudia Sheinbaum të zbuste tonet e njoftimit.
Siguria dhe nxehtësia ekstreme si shkaqe kryesore
Ministri i Arsimit, Mario Delgado, argumentoi se kjo masë u mor duke pasur parasysh fluksin e mijëra tifozëve që pritet të ndjekin ndeshjet në një kontekst të masave të rrepta të sigurisë. Gjithashtu, ai përmendi si faktor edhe valën e të nxehtit që pritet të përfshijë disa shtete të vendit. Meksika do të presë ndeshjen hapëse të Botërorit më 11 qershor në Mexico City.
“Do të ndalojmë më 5 qershor, pasi shumë shtete po përballen me temperatura të larta, por është edhe çështja e Kupës së Botës,” u shpreh ministri Delgado.
Reagimi i Presidentes dhe kundërshtimet
Pas kritikave të ashpra, Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, sqaroi se ky ishte vetëm një “propozim” dhe jo një vendim përfundimtar. “Nuk ka ende një kalendar të caktuar. Është thelbësore që fëmijët të mos humbasin asnjë orë mësimi,” pohoi ajo, duke shtuar se masa ishte një përgjigje ndaj kërkesave të autoriteteve arsimore lokale.
Nga ana tjetër, organizata kërkimore “México Evalúa” shprehu shqetësimin se ky vendim do të prekte mbi 23.4 milionë nxënës, duke thelluar prapambetjen arsimore dhe pabarazitë ekzistuese.
Rezistenca në Jalisco
Shteti i Jaliscos, ku ndodhet qyteti pritës i Guadalajarës, doli kundër qeverisë qendrore. Autoritetet lokale atje njoftuan se nuk do ta zbatojnë këtë masë, duke vendosur të mbajnë kalendarin aktual, i cili parashikon përfundimin e procesit mësimor më 30 qershor./Top Channel
