Katër persona kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit të një çante që dyshohet se përmbante lëndë narkotike dhe një mjet shpërthyes, në hyrje të një pallati banimi në qendër të Athinës.
Ngjarja ndodhi në lagjen Kolonos, pasi administratori i pallatit njoftoi policinë për një çantë të dyshimtë të lënë pranë ashensorit, në katin përdhes.
Dy efektivë policie hapën çantën dhe konstatuan brenda saj materiale që dyshohet se ishin lëndë narkotike, si dhe një peshore dhe disa pilula. Në momentin e verifikimit, një mjet shpërthyes i improvizuar shpërtheu, për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Sipas informacioneve paraprake, pajisja përmbante një detonator të lidhur me bateri dhe lëndë shpërthyese me fuqi të ulët. Raportimet fillestare sugjerojnë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar pasi njëri prej policëve shtypi një buton në detonator, por rrethanat mbeten për t’u konfirmuar.
Të plagosur mbetën dy oficerët e policisë, administratori i pallatit dhe një person tjetër. Të katër u transportuan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Njëri prej efektivëve ka pësuar dëmtime më të rënda në sy dhe në dorë. Në vendngjarje ndërhynë gjithashtu ekipet zjarrfikëse, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e shpërthimit dhe përmbajtjen e çantës.
