Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një automjet në kryeqytetin indian, njoftuan autoritetet policore.

Sipas policisë së Nju Delhit, shpërthimi ndodhi pranë portave të stacionit të metrosë afër Red Fort, ish-rezidencës perandorake dhe një prej zonave më të frekuentuara turistike të qytetit. Shpërthimi shkaktoi një zjarr masiv që dogji disa automjete të parkuara aty pranë.

Pas ngjarjes, qeveria vendosi nivel të lartë sigurie në aeroportin ndërkombëtar të Delhit, në stacionet e metrosë dhe ndërtesat qeveritare.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë mbetjet e djegura të makinave, ndërsa ekipet forenzike punojnë për të mbledhur prova. Ministri i Brendshëm indian, Amit Shah, deklaroi se një makinë Hyundai i20 shpërtheu pranë një semafori afër Red Fort dhe se pamjet nga kamerat e sigurisë do të jenë pjesë e hetimit.

“Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe do të kryejmë një hetim të plotë,” tha Shah. “Rezultatet do t’i bëjmë publike sapo të përfundojë procesi.”

Hetimet po zhvillohen nga Agjencia Kombëtare e Hetimeve (NIA)  institucioni federal indian që merret me hetimet e terrorizmit  në bashkëpunim me agjenci të tjera qeveritare.