Në një shpërthim në një minierë qymyri në Kolumbi, nëntë minatorë kanë humbur jetën dhe gjashtë janë plagosur.
Në minierën Carbonera Los Pinos në Sutatausa, në pjesën qendrore të vendit rreth 80 kilometra në veri të kryeqytetit Bogota, në momentin e shpërthimit ndodheshin 15 minatorë, tha guvernatori i provincës Kundinamarka, Jorge Emilio Rey.
Tre minatorë arritën të shpëtojnë vetë, ndërsa tre të tjerë u nxorën nga miniera.
Agjencia Kombëtare e Minierave e Kolumbisë tha se inspektorët e kishin vizituar minierën në fillim të prillit dhe kishin rekomanduar mbylljen e zonave të papërdorura për shkak të grumbullimit të rrezikshëm të gazrave, përfshirë metanin.
Agjencia shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe tha se gjashtë minatorë janë shpëtuar falë ndërhyrjes në kohë të ekipeve të shpëtimit.
Aksidentet në miniera janë të shpeshta në Kolumbinë qendrore, ku dhjetëra operatorë të vegjël menaxhojnë miniera qymyri dhe smeraldi.
Aksidente më të mëdha u regjistruan në vitet 2020 dhe 2023, kur në disa miniera humbën jetën nga 11 minatorë.
