Një sulm me raketa ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad ka shkaktuar viktima dhe qindra të plagosur. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite (GACA), bilanci raportohet të jetë 12 të vdekur dhe 309 të lënduar.
Autoritetet saudite bëjnë të ditur se katër prej viktimave janë shtetas të Arabisë Saudite, ndërsa tetë të tjerët janë të huaj. Mes tyre raportohen dy shtetas nga Bangladeshi dhe nga një shtetas nga SHBA-ja, Egjipti, Jordania, Siria, Palestina dhe Sudani.
Disa prej personave të plagosur raportohet se ndodhen në gjendje kritike. Paralelisht me operacionet e emergjencës, ekipet teknike kanë nisur verifikimin e dëmeve të shkaktuara në aeroport.
Sipas raportimeve, një prej raketave goditi ndërtesën ku ndodhen dy terminale që përdoren për fluturimet e brendshme. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet një sasi e madhe tymi që ngrihet mbi zonën e Terminalit 3 pas goditjes.
Sulmi ka sjellë gjithashtu probleme të mëdha në trafikun ajror. Flightradar24 raportoi anulimin e të paktën 316 fluturimeve, ndërsa aktiviteti në aeroport u përball me ndërprerje të konsiderueshme.
Ambasada amerikane dhe disa përfaqësi të tjera diplomatike perëndimore u kanë kërkuar shtetasve të tyre të qëndrojnë larg zonës së aeroportit, për shkak të situatës së sigurisë dhe problemeve të krijuara me udhëtimet.
Përgjegjësia për sulmin i është atribuar rebelëve Huthi të Jemenit. Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në rajon, pas intensifikimit të operacioneve ushtarake kundër zonave të kontrolluara prej tyre.
Sipas raportimeve, qeveria jemenase e njohur ndërkombëtarisht dhe e mbështetur nga koalicioni saudit kishte nisur ditët e fundit një ofensivë për rimarrjen e territoreve të kontrolluara nga Huthët, përfshirë zona me rëndësi strategjike pranë ngushticës Bab el-Mandeb.
Në këtë klimë përshkallëzimi, Huthët kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë drejt objektivave në territorin saudit, ndërsa zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
