Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Utrechtit, në Holandë, ku një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar panik dhe një zjarr të përmasave të mëdha në zonën qendrore të qytetit.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 15:30 në një rrugë të ngushtë me ndërtesa të vjetra banimi, duke dëmtuar disa objekte dhe duke përhapur flakët me shpejtësi. Menjëherë pas ngjarjes, në zonë u dërguan dhjetëra ekipe emergjence, përfshirë zjarrfikës, ambulanca dhe forca policie.

Autoritetet konfirmuan se të paktën një person ka mbetur i plagosur, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të lënduar të tjerë. Banorët e zonës raportuan se shpërthimi ishte shumë i fortë, duke thyer xhama dhe duke shpërndarë mbeturina në rrugë.

Për arsye sigurie, policia izoloi një perimetër të gjerë dhe nisi evakuimin e banesave dhe bizneseve përreth, përfshirë zona të frekuentuara si Mariaplaats dhe Springweg. Në vendngjarje u angazhuan të paktën gjashtë ambulanca, ndërsa një ekip i specializuar mjekësor mbërriti me helikopter.

Për shkak të situatës së rënduar, autoritetet aktivizuan protokollin rajonal të emergjencës GRIP 2, që lejon koordinimin e të gjitha shërbimeve nga një qendër e vetme operative.

Zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin zonën dhe të mos pengojnë punën e shërbimeve të emergjencës.

Shkaqet e shpërthimit nuk dihen ende dhe pritet të zbardhen pas përfundimit të hetimeve.