Një shpërthim i fuqishëm pranë portit të Roterdamit në Holandë ka shkaktuar një viktimë dhe ka lënë të plagosur gjashtë persona. Ngjarja ka ndodhur këtë të enjte, rreth orës 11:30 sipas kohës lokale.
Sipas autoriteteve holandeze, hetimet për shkaqet e shpërthimit kanë nisur menjëherë. Deri tani nuk ka prova që incidenti të jetë pasojë e sabotimit, por policia nuk ka përjashtuar asnjë skenar.
Ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve të mirëmbajtjes në një prej rezervuarëve të magazinimit të kompanisë së tregtimit të produkteve energjetike Gunvor. Kompania ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e plotë të incidentit.
Porti i Roterdamit është qendra më e madhe portuale në Evropë dhe një pikë strategjike për importin, përpunimin dhe magazinimin e naftës dhe produkteve energjetike. Në zonën portuale ndodhen disa prej impianteve më të mëdha të rafinimit në kontinent.
Pavarësisht shpërthimit, kompania Shell ka bërë të ditur se aktiviteti i saj në port nuk është prekur. Autoritetet kanë konfirmuar gjithashtu se terminalet e gazit natyror të lëngshëm nuk janë dëmtuar.
Të dhënat e rrjetit evropian të gazit treguan një luhatje të përkohshme të furnizimit nga terminali Gate LNG, por nuk është konfirmuar një ndërprerje e lidhur drejtpërdrejt me shpërthimin.
Autoritetet e portit kanë sqaruar gjithashtu se incidenti nuk ka lidhje me disa ndërprerje të energjisë të raportuara gjatë ditës në zona të ndryshme të portit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të shpërthimit dhe nëse ka pasur probleme teknike apo faktorë të tjerë që kanë çuar në incidentin fatal.
