Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur këtë të diel zonën Ponte Galeria të Romës, në Itali, duke shkaktuar pasoja të rënda për banorët dhe infrastrukturën përreth, raporton A2CNN.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shpërthimi ka ardhur si pasojë e një rrjedhjeje gazi. Si rezultat, janë prekur tre ndërtesa, të cilat kanë pësuar dëmtime të mëdha strukturore.
Bilanci paraprak flet për dy persona të vdekur, ndërsa rreth 70 banorë të pallateve ku ndodhi shpërthimi janë evakuuar për arsye sigurie. Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke larguar banorët dhe duke siguruar zonën për të shmangur rreziqe të tjera.
Shpërthimi ka qenë aq i fortë sa ka shkatërruar muret e ndërtesave të prekura, ndërsa valët goditëse kanë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara në afërsi. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të hetuar shkaqet e plota të ngjarjes.
