Një shpërthim është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës pranë stacionit qendror të trenit në Augsburg të Gjermanisë.

Disa persona kanë mbetur të plagosur lehtë, ndërsa policia ka izoluar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Shpërthimi ndodhi në një kalim të brendshëm të një godine pranë stacionit. Ende nuk dihet se cili ishte objekti që shkaktoi shpërthimin.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar origjinën e tij dhe rrethanat që çuan në incident.

Disa persona kanë marrë dëmtime të lehta, kryesisht nga vala e goditjes. Shpërthimi ka shkaktuar gjithashtu thyerjen e disa xhamave në ndërtesat përreth.

Pas incidentit, policia ka rrethuar zonën dhe ka mbyllur përkohësisht godinën e stacionit.

Një nga linjat hekurudhore është pezulluar si masë sigurie, ndërsa pjesa tjetër e shërbimit vijon. Udhëtarëve u është kërkuar të përdorin hyrjet veriore dhe jugore të stacionit.

Shpërthimi ka shkaktuar edhe probleme në qarkullimin rrugor dhe transportin publik. Disa rrugë pranë stacionit janë mbyllur, ndërsa autobusët, tramvajet dhe trenat po përballen me vonesa dhe ndërprerje të përkohshme.

Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve dhe udhëtarëve të shmangin zonën e stacionit deri në përfundimin e ndërhyrjes dhe kontrolleve të policisë.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi shpërthimin.