Një seri shpërthimesh ndodhën mëngjesin e së martës pranë hotelit ku po qëndronte presidenti francez Emmanuel Macron në Damask, ndërsa ai ndodhet për një vizitë zyrtare në Siri.
Sipas një burimi të sigurisë, shpërthimet ndodhën në afërsi të hotelit, ndërsa zyra e presidentit francez bëri të ditur se Macron ishte larguar rreth 15 minuta më herët për takimin me presidentin sirian Ahmed al-Sarrah dhe nuk i dëgjoi shpërthimet.
Mediat siriane raportuan se presidenti francez u prit nga Al-Sarrah në Pallatin Presidencial, ndërsa televizioni Al Jazeera bëri me dije se të paktën dy shpërthime u regjistruan pranë Ministrisë së Turizmit në Damask. Shkaku i shpërthimeve mbetet ende i paqartë, ndërsa pamjet e transmetuara nga mediat lokale treguan re të dendura tymi mbi kryeqytetin sirian.
Macron mbërriti në Damask të hënën, duke u bërë lideri i parë i një fuqie të madhe perëndimore që viziton Sirinë pas shumë vitesh. Vizita është e para e një presidenti francez që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024 dhe ardhja në pushtet e Ahmed al-Sarrah.
Pas vizitës në Siri, Macron dhe Al-Sarrah pritet të udhëtojnë drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, ku presidenti sirian pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin amerikan Donald Trump.
