Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se shpërthimi i hantavirusit në bordin e anijes turistike MV Hondius nuk përbën fillimin e një pandemie globale, duke theksuar se mënyra e transmetimit të virusit është shumë e ndryshme nga ajo e Covid-19.
Epidemiologia e OBSH-së, Maria van Kerkhove, tha se hantavirusi transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë dhe intim dhe nuk ka të njëjtin potencial përhapjeje të shpejtë si koronavirusi.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë konfirmuar pesë raste infektimi nga tetë të dyshuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën. Mes viktimave është një grua holandeze 69-vjeçare, ndërsa autoritetet po hetojnë ende vdekjen e bashkëshortit të saj dhe të një gruaje gjermane.
Autoritetet shëndetësore po gjurmojnë dhjetëra pasagjerë që zbritën nga anija gjatë ndalesës në Shën Helena më 24 prill.
OBSH bëri të ditur se për herë të parë është dokumentuar transmetimi i hantavirusit nga njeriu te njeriu, pasi zakonisht virusi lidhet me kontaktin me brejtësit ose sekrecionet e tyre.
Anija, e operuar nga Oceanwide Expeditions, kishte nisur udhëtimin më 1 prill nga Ushuaia dhe pritet të mbërrijë në Ishujt Kanarie. Në bord ndodheshin rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 28 vende të ndryshme.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se rreziku për shëndetin publik mbetet “i ulët”, megjithëse paralajmëroi se mund të zbulohen raste të tjera për shkak të periudhës së inkubacionit, e cila mund të zgjasë deri në gjashtë javë.
Ndërkohë, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Singapori kanë nisur monitorimin dhe izolimin e personave që udhëtuan me anijen, ndërsa autoritetet në Argjentinë po kryejnë hetime për të përcaktuar burimin e mundshëm të infeksionit.
