Një shpërthim vullkanik në malin Dukono ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe ka nxitur një operacion të gjerë shpëtimi për evakuimin e alpinistëve që mbetën të bllokuar pranë kraterit të vullkanit, në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Sipas autoriteteve indoneziane, mes viktimave ndodhen shtetas nga Singapori dhe një qytetar indonezian. Në momentin e shpërthimit, në malin Dukono, i vendosur në ishullin Halmahera në provincën North Maluku, ndodheshin 20 alpinistë — 9 të huaj dhe 11 vendas.

Shefi i Policisë së North Halmahera-s, Erlichson Pasaribu, deklaroi për mediat lokale se deri në mbrëmje 17 prej tyre janë evakuuar me sukses, ndërsa trupat e tre viktimave mbeten ende në mal. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndërprerë për natën dhe pritet të rifillojnë të shtunën.

Pamje dramatike të publikuara nga guida indoneziane Alex Djangu tregojnë një kolonë gjigante tymi dhe hiri që ngrihet mbi vullkan pas shpërthimit. Djangu, i cili po shoqëronte dy turistë gjermanë gjatë ngjitjes, tha se kishte ndier dridhje të forta pak çaste përpara shpërthimit.

“Ishte shumë e frikshme,” u shpreh ai për CNN, duke treguar se grupi kishte dëgjuar zhurma të pazakonta që vinin nga thellësia e kraterit rreth orës 15:00 të së enjtes. Për të kuptuar situatën, ai kishte ngritur edhe një dron për të vëzhguar kushtet mbi krater nga ajri.