Sulmohen me gurë ndërtesat qeveritare dhe selia e BDI-së në kryeqytet


Shqiptarët kanë protestuar dje në Shkup dhe në Tetovë pas bastisjeve dhe arrestimeve të javës së shkuar në gjysmën shqiptare të kryeqytetit të Maqedonisë. Në kryeqytet gjatë protestës masive janë shënuar edhe disa incidente, ndërsa në Tetovë, protestuesit kanë marshuar krejt qetësisht nga sheshi kryesor i qytetit në drejtim të Gjykatës Themelore, për të manifestuar pakënaqësinë e tyre ndaj arrestimeve.


Ndërkohë, në qytetet e tjera si Gostivar, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, protesta nuk ka pasur edhe pse ato ishin paralajmëruar në rrjetet sociale “Facebook” e “Twitter”.


 


Incidente në Shkup


Protesta në Shkup u shoqërua me disa incidente. Situata më e tensionuar u paraqit para Komunës së Çairit, ku protestuesit me gurë sulmuan objektin e komunës ndërsa për gjysmë ore me gurë dhe sende të tjera sulmuan edhe policët. Në shenjë revolte, qytetarët protestuan edhe para selisë së BDI-së në Çair, ku gjuajtën gjithashtu me gurë. Nga sulmi me gurë e pësoi kameramani i televizionit “Telma”, i cili u godit në kokë dhe u dërgua për kurim në spital, si dhe një pjesëtar i policisë. Protestuesit fillimisht protestuan para Gjykatës Themelore Shkupi 1, për të vazhduar më pas para qeverisë. Protestuesit thyen disa xhama të ndërtesës qeveritare, ndërsa gjatë tërë kohës brohoritnin “Ubijci” (Vrasës), “Nikolla terrorist”, “Jankullovska terrorist”,  “Ali tradhtari”, si dhe “Shqipëri etnike, ndërsa në duar mbanin parullat “Myslimanët nuk janë terroristë” , “Stop montimeve politike”, “Sopoti 2”.


 


Deklarata


Disa nga organizatorët e protestës u shpërndanë gazetarëve edhe një deklaratë në të cilën përmenden pesë kërkesa nëpërmjet të cilave dëshirojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar dhe atij në vend. Në këtë deklaratë thuhet:


1. Ne me sinqeritet të plotë e ndajmë dhimbjen me familjarët e të rinjve maqedonas të vrarë kohë më parë dhe kërkojmë që vrasësit e vërtetë të dalin së më parë para drejtësisë.


2. Protestojmë ndaj ofendimeve që qeveria i bëri popullit shqiptar të përkatësisë fetare islame, duke ua ofenduar bindjet e tyre fetare –islame, si dhe duke shkelur mbi dinjitetin e motrave tona, të arrestuara pa vend.


3. Ne reagojmë ashpër mbi tentimin e qeverisë së Maqedonisë, posaçërisht MPB-së, që të krijojë proces të montuar politik. Dyshimet tona i bazojmë në faktet e pamohueshme, ligjore deri sot, siç janë rastet e Sopotit, Haraçinës, Vreshtat e Rashtakut, të cilat nga organet e rendit dhe ato juridike të Maqedonisë rezultuan me procese të montuara politike.


4. Po ashtu shprehim indinjatën tonë që subjekti shqiptar në këtë qeveri, nëpërmjet zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëdhënësit të partisë e legjitimuan këtë ofendim ndaj popullit të tyre, si dhe shkeljen flagrante të të drejtave elementare të njeriut dhe këtë tentim për proces të montuar politikisht.


5. Apelojmë deri te të gjitha institucionet ndërkombëtare OSBE, SHBA, BE, Turqi, Shqipëri dhe Kosovë që të insistojnë të krijohet komision i pavarur hetimor i përbërë edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim të zbardhjes të drejtë të rastit të të gjithë të arrestuarve. Besojmë se në fund drejtësia do të vijë në vendin e vet, sikur për të rinjtë e vrarë maqedonas ashtu edhe për ata të cilëve po tentohet t’u krijohet proces i montuar politik.