Një politikan me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut synon të marrë drejtimin e qytetit të Zyrihut në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Bëhet fjalë për Përparim Avdili, i cili prej vitesh është aktiv në skenën politike të qytetit zviceran.

Avdili, me rrënjë nga Llojani i Maqedonisë së Veriut, është kandidat për postin e kryetarit të Zürich, një nga qytetet më të rëndësishme në Zvicër. Kandidatura e tij ka tërhequr vëmendje të veçantë edhe në mesin e komunitetit shqiptar, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në këtë qytet.

Zgjedhjet do të zhvillohen më 8 mars, ndërsa Avdili ka nisur fushatën që në fund të tetorit, menjëherë pasi mori nominimin nga partia, duke theksuar se dëshiron që Zyrihu të zhvillohet më tej dhe të perceptohet si një metropol i vërtetë europian.

Nëse arrin të fitojë, ai do të bëhej një nga figurat e para me origjinë shqiptare që do të udhëhiqte një prej qyteteve kryesore evropiane, duke shënuar një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e diasporës shqiptare në politikën zvicerane.

I lindur në një familje emigrantësh nga Maqedonia e Veriut, Avdili u rrit në Zvicër. Babai i tij fillimisht punoi si punëtor sezonal dhe më pas solli të gjithë familjen. Ai ka treguar shpesh se familja u kujdes që fëmijët të mos harronin gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare.

Rruga e tij profesionale nuk ka qenë lineare. Në moshën 18-vjeçare nisi shkollën për mekanik makinash, por më pas e braktisi këtë drejtim. Pasi punoi në postë, ai ndoqi kurse në shkollën e biznesit dhe hyri në sektorin bankar, pavarësisht mungesës fillestare të eksperiencës. Më vonë punoi në banka të tjera dhe u vetëpunësua si konsulent për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke ndërtuar një karrierë të suksesshme në financë.

Avdili ka folur hapur edhe për paragjykimet që ka përjetuar në rini, kur gjatë praktikës si mekanik është etiketuar me stereotipe për shkak të origjinës së tij, përvoja që, sipas tij, e ka forcuar karakterin dhe ambicien.
Në jetën personale, ai bashkëjeton me partneren e tij dhe ruan lidhje të forta me identitetin dhe kulturën shqiptare.
Një element i veçantë i fushatës së tij është ndërthurja e politikës me artin dhe kulturën urbane. Në bashkëpunim me reperin Arbër Rama, ai mori pjesë në një këngë të krijuar në kuadër të prezantimit të programit electoral, një projekt që synon të lidhet me qytetarët përmes historive reale dhe jo sloganeve politike.