Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 28 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një kishë ortodokse greke në provincën Karak, në pjesën qendrore të Jordanisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një ceremonie funerale, rreth 180 kilometra në jug të kryeqytetit, Aman. Sipas Drejtorisë së Sigurisë Publike, persona të armatosur hapën zjarr brenda ambienteve të kishës.
Deri në momentin e raportimit, autoritetet nuk kishin bërë të ditur identitetin e autorëve dhe as motivet e mundshme të sulmit.
Zëdhënësi i qeverisë jordaneze, Mohammad al-Momani, deklaroi se shërbimet e sigurisë kishin nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.
Provinca Karak është një zonë ku jeton edhe një pakicë e krishterë. Ajo është përballur edhe më parë me sulme të përgjakshme.
Në vitin 2016, persona të armatosur sulmuan forcat e policisë dhe një zonë turistike pranë një kështjelle historike në Karak. Nga ai sulm mbetën të vrarë 10 persona, mes tyre shtatë efektivë policie, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e sulmit të fundit.
