Shtëllunga të mëdha tymi të zi janë ngritur në qiellin e Tehranit këtë mëngjes, pas sulmeve të vazhdueshme gjatë orëve të natës në kryeqytetin Iranian. BBC ka sjellë disa dëshmi të banorëve lokalë, që rrëfejnë se si shpërthimet janë kthyer në makth për ta.

“Shtëpia dridhej për pesë minuta rresht. Mbrëmë ishte nata më e keqe”, thotë një burrë rreth të 30-ave në Teheran kur e pyeta nëse ishte mirë. Personi në fjalë thotë se mezi ka fjetur për shkak të “shpërthimeve të vazhdueshme”.

Në artikull thuhet se është ende shumë e vështirë të kontaktosh njerëzit brenda Iranit për shkak të ndërprerjes së vazhdueshme të internetit në vend, por disa kanë arritur të sigurojnë akses të përkohshëm.

“U zgjova nga zhurma e shpërthimeve në orën 5:00 të mëngjesit dhe që atëherë nuk kam mundur të fle”, thotë një grua në kryeqytet.

“Ishte e tmerrshme. Po godisnin aq fort sa të gjitha dritaret po dridheshin. Tingëllonte si të ishte zhurma e një dragoi!”, shprehet një tjetër rezidente.

Avionët luftarakë të Izraelit kryen valën e 14-të të sulmeve ndaj Iranit, që prej nisjes së operacionit ditën e shtunë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, IDF, thanë se kanë kryer një valë të gjerë sulmesh edhe në kryeqytetin e Libanit, të cilat kanë shkaktuar frikë te popullsia civile.