Suedia ka ngritur alarmin për intensifikimin e aktiviteteve hibride që i atribuohen Rusisë, duke paralajmëruar se niveli i rrezikut mbetet i lartë dhe se një nga objektivat kryesore është goditja e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Kreu i Shërbimit suedez të Inteligjencës dhe Sigurisë Ushtarake (MUST), Thomas Nilsson, deklaroi për televizionin publik SVT se Moska po përdor metoda gjithnjë e më të sofistikuara për të ushtruar presion ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Sipas tij, Suedia është gjithashtu pjesë e vendeve të ekspozuara ndaj këtyre operacioneve.
Nilsson argumentoi se strategjia ruse nuk kufizohet në veprime ushtarake konvencionale, por synon të krijojë pasiguri brenda shoqërive perëndimore, të nxisë përçarje mes aleatëve dhe, në fund, të ndikojë në gatishmërinë e tyre për të vazhduar ndihmën ndaj Kievit.
“Ata duan të na bëjnë të pasigurt, duan të na ndajnë dhe duan që ne të ndalojmë mbështetjen tonë për Ukrainën”, u shpreh ai.
Paralajmërimi vjen në një moment kur autoritetet suedeze po analizojnë me shqetësim një incident të ndodhur në Gjermani. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Suedisë u mblodh të mërkurën, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte zbulimi gjatë muajit gusht i një droni me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle.
Autoritetet gjermane e kanë lidhur rastin me Rusinë, ndërsa për Nilsson incidenti përfaqëson një zhvillim serioz në natyrën e kërcënimeve hibride me të cilat po përballet Evropa.
“Ishte një dron i armatosur me eksploziv, kështu që mund të supozojmë se qëllimi ishte që të shpërthente”, deklaroi kreu i MUST, duke e konsideruar rastin një tregues se kërcënimi mund të ketë kaluar në një nivel më të rrezikshëm.
Përballë këtij realiteti, autoritetet suedeze po forcojnë masat e sigurisë, veçanërisht rreth strukturave dhe aktiviteteve që lidhen drejtpërdrejt me ndihmën për Ukrainën. Sipas Nilsson, rreziku nuk prek vetëm institucionet shtetërore apo ushtrinë, por mund të shtrihet edhe te subjektet private të përfshira në këtë proces.
“Ekziston një kërcënim i lartë për mbështetjen tonë për Ukrainën, i cili përfshin edhe kompani private dhe elementë të tjerë”, theksoi ai.
Pavarësisht rritjes së shqetësimeve, drejtuesi i inteligjencës ushtarake suedeze siguroi se vendi po përgatitet për skenarë të tillë dhe se po ndërmerren masa për të mbrojtur personelin, kompanitë dhe aktivitetet e lidhura me mbështetjen suedeze për Ukrainën.
