Një episod i pazakontë ka ndodhur në Francë, ku bashkëshortja e presidentit Emmanuel Macron, Brigitte Macron, është regjistruar gabimisht me një emër mashkullor në portalin zyrtar të administratës tatimore.

Rasti u zbulua në një dokumentar të kanalit BFMTV, ku drejtori i administratës së Zonjës së Parë rrëfeu se gjatë një kontrolli rutinë, në shtatorin e vitit të kaluar, sistemi kishte regjistruar Brigitte Macron me emrin “Jean-Michel” në vend të atij të saj të vërtetë.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se nuk bëhej fjalë për një gabim teknik, por për një ndërhyrje të jashtme të qëllimshme në bazën e të dhënave. Pas njoftimit të autoriteteve, Pallati Élysée e mori rastin seriozisht dhe Brigitte Macron bëri një kallëzim penal. Hetuesit kanë identifikuar tashmë dy persona të dyshuar për manipulimin e informacionit në sistem.

Incidenti mendohet se lidhet me teoritë konspirative që qarkullojnë prej disa vitesh, sipas të cilave Brigitte Macron është lindur mashkull, një pretendim që ajo e ka hedhur kategorikisht poshtë dhe për të cilin ka paditur disa persona për shpifje.

Në shtator të këtij viti, dy prej autorëve të këtyre teorive u dënuan nga gjykata me gjobë prej 13,500 eurosh, ndërsa vetë Brigitte Macron ka paralajmëruar se është e gatshme të bëjë edhe një test gjenetik, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj çështjeje.