Qeveria e Venezuelës ka njoftuar të dielën arrestimin e disa “mercenarëve” të lidhur me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), duke e cilësuar vizitën e anijes luftarake amerikane USS Gravely në Trinidad dhe Tobago dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake si një “provokim të rrezikshëm”.

“Venezuela denoncon një provokim ushtarak të organizuar nga Trinidad dhe Tobago në bashkëpunim me CIA-n, me synimin për të shkaktuar një luftë në Karaibe”, thuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë venezueliane.

Sipas Caracas-it, stërvitjet që po zhvillohen nga 26 deri më 30 tetor, nën “koordinimin dhe kontrollin e Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara”, përbëjnë një kërcënim serioz për paqen rajonale.

Autoritetet pretendojnë gjithashtu se kanë “kapur një grup mercenarësh që, sipas informacioneve të marra nga shërbimet amerikane të inteligjencës, po përgatitnin një sulm nën flamur të rremë nga ujërat kufitare me Trinidad dhe Tobago, me qëllim nxitjen e një përplasjeje të armatosur kundër Venezuelës”.

Vizita e USS Gravely dhe trupave detare amerikane në Trinidad dhe Tobago u bë publike të enjten, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka rritur presionin ndaj homologut venezuelian Nicolás Maduro.

Sipas Pentagon-it, dislokimi i shtatë anijeve luftarake në Karaibe dhe një në Gjirin e Meksikës është pjesë e një operacioni kundër trafikut të drogës, por Caracas e sheh si përgatitje për ndërhyrje ushtarake.

Trump, i cili ka pranuar se ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë, ka deklaruar se qëllimi është “çmontimi i rrjeteve kriminale dhe korrupsionit” të regjimit të Maduro-s.

Që nga fillimi i shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë disa sulme ajrore në ujërat e Karaibeve kundër anijeve të dyshuara si transportuese droge, që kanë shkaktuar të paktën 43 viktima, sipas një bilanci të AFP-së bazuar në të dhënat e qeverisë amerikane.

Presidenti Nicolás Maduro, duke mohuar çdo lidhje me trafikun e drogës, akuzoi Washington-in se “po shpik një luftë të përhershme për të përvetësuar rezervat tona të naftës”.