Ndër shumë propozimet për tarifa që presidenti amerikan, Donald Trump duket se po shqyrton, skenari më i keq duket të jetë një taksë universale prej 20% ndaj të gjitha importeve të SHBA-së. Sipas një studimi nga “The Budget Lab” në Yale, kjo do të tkurrte ekonominë amerikane, do të rriste çmimet dhe do të gërryente ndjeshëm të ardhurat e disponueshme të amerikanëve.
Qendra kërkimore jopartiake ka zbuluar se një tarifë universale prej 20% si një opsion që po shqyrtohet nga Trump, dhe që do të mblidhte midis 3.1 trilionë dhe 4.1 trilionë dollarë gjatë një dekade. Por këto tarifa, së bashku me hakmarrjen nga partnerët tregtarë të SHBA-së, ka të ngjarë t’i kushtojnë një familjeje të klasës së mesme tipike rreth 3800 dollarë në vit në të ardhura të disponueshme, për shkak të çmimeve më të larta.
Ndërkohë, 10% e të pasurve do të shihnin të ardhurat e tyre të bien me 9500 dollarë në vit, ndërsa 10 për qind e më të varfërve do të humbnin 2400 dollarë, sipas studiuesve. Familjet me të ardhura më të ulëta do të goditeshin më rëndë në raport me të ardhurat e tyre, duke pësuar një rënie prej 5.5 për qind të të ardhurave të disponueshme, krahasuar me 1.9% për 10% e më të pasurve.
Goditja ndaj konsumatorëve do të vinte nga çmimet më të larta, veçanërisht për produkte si ushqimi, veshjet dhe elektronika. “The Budget Lab” zbulon se një tarifë 20 për qind, së bashku me hakmarrjen e plotë nga vendet e tjera, do të rriste çmimet me 2.6 për qind. Nëse kombet e tjera zgjedhin të mos hakmerren, çmimet do të rriteshin me 2%.