Policia britanike ka arrestuar një bankier multimilioner 44-vjeçar, me prejardhje aristokratike, i dyshuar si autori i incidentit të njohur si “Putney Pusher”, një ngjarje që tronditi opinionin publik në Britaninë e Madhe në vitin 2017.

I dyshuari u vu në pranga këtë të hënë, më 15 qershor, në rezidencën e tij luksoze në perëndim të Londrës dhe po mbahet nën akuzën e tentativës për lëndim të rëndë trupor.

Ngjarja ndodhi më 5 maj 2017 në Urën Putney, kur një vrapues shtyu pa asnjë arsye një grua që po ecte në trotuar, duke e hedhur në korsinë e autobusëve pikërisht në momentin kur po afrohej një autobus dykatësh. Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë u bënë virale dhe shkaktuan reagime të shumta në mbarë vendin.

Falë reagimit të shpejtë të shoferit të autobusit, gruaja arriti t’i shpëtonte përplasjes. Sipas hetimeve, autori i dyshuar vijoi vrapimin pa u ndalur për të ndihmuar viktimën dhe më vonë kaloi sërish pranë vendit të ngjarjes, duke injoruar kërkesat e saj dhe të kalimtarëve për të qëndruar.

Hetimi u mbyll në vitin 2018 për shkak të mungesës së provave, por informacione të reja çuan në rihapjen e çështjes dhe në arrestimin e të dyshuarit pas nëntë vitesh.

Mediat britanike raportojnë se i arrestuari është një ish-ushtar dhe bankier i njohur, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë dhe se çështja mbetet ende e hapur.