Policia britanike ka nisur një hetim intensiv për identifikimin e një gruaje që dyshohet se ka shtyrë qëllimisht një karrocë foshnje në rrugën e një kamioni në lëvizje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin A16, pranë kryqëzimit me Middlegate Road West, në zonën Kirton të Lincolnshire.
Sipas dëshmitarëve, pas përplasjes së kamionit me karrocën, një objekt i bardhë ose rozë u hodh në ajër, duke krijuar frikën se bëhej fjalë për një foshnjë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia dhe shërbimet mjekësore, ndërsa u përdorën edhe dronë për kontrolle në zonë.
Pas kërkimeve të shumta, autoritetet konfirmuan se në karrocë nuk ndodhej asnjë fëmijë dhe se vetë karroca nuk u gjet në vendin e aksidentit. Drejtuesi i kamionit është identifikuar dhe është marrë në pyetje nga policia. Gruaja e dyshuar përshkruhet si rreth të njëzetave, e veshur me një xhaketë kafe deri në gju dhe pantallona. Dyshohet se ajo po ecte përgjatë Middlegate Road West dhe u përpoq të kalonte rrugën drejt Middlegate Road East.



