Ylli tajvanez Barbie Hsu, e njohur në të gjithë Azinë për rolin e saj kryesor në serialin e njohur televiziv të vitit 2001 “Meteor Garden”, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare nga një infeksion në rrugët e frymëmarrjes. Sipas motrës së saj më të vogël, Hsu vdiq pasi zhvilloi pneumoni gjatë një udhëtimi familjar në Japoni për të festuar Vitin e Ri Hënor.
“Motra ime më e dashur dhe e sjellshme, Barbie Hsu, fatkeqësisht ndërroi jetë për shkak të komplikimeve nga gripi që çoi në pneumoni”-tha ajo në një deklaratë. Postimin e ka shpërndarë edhe agjenti i saj, ndërsa lajmin e ka transmetuar edhe Agjencia Qendrore e Lajmeve. Ajo vazhdoi postimin e saj duke shkruar: “Jam mirënjohëse që kam qenë motra e saj në këtë jetë, që u kujdesëm për njëra-tjetrën, që ishim bashkëudhëtare. Do ta falënderoj dhe do ta kujtoj përgjithmonë”.
Lajmi për vdekjen e saj u bë temë kryesore e diskutimit në platformën kineze Weibo, ndërsa fansat nga Tajvani, Filipinet dhe vende të tjera i bënë homazhe aktores në rrjetet sociale. Aktori kinez Huang Xiaoming, i cili kishte punuar me Hsu në një tjetër serial tajvanez, shprehu trishtimin e tij. “Jam në tronditje dhe trishtim të thellë. Thonë se shpirtrat me të vërtetë të ndritshëm nuk zbehen kurrë me kalimin e kohës, ata mbeten të gjallë, si flluska që shkëlqejnë në diell,”-shkroi ai në Weibo.
Barbie Hsu dhe motra e saj më e vogël, Dee, u bënë të famshme në vitet 1990 si dyshe pop, përpara se t’i drejtoheshin prezantimit dhe aktrimit në televizion. Roli i saj si Dong Shan Cai në serialin “Meteor Garden” e bëri të njohur në të gjithë Azinë. Seriali, i cili tregon historinë e një vajze të zakonshme që hyn në një universitet elitar, u bazua në një manga japoneze, e përshtatur më vonë në Kinë dhe tani po transmetohet në Netflix. Vitet e fundit, karriera e saj e aktrimit ishte e kufizuar, por ajo mori pjesë në reality show dhe programe televizive, duke e mbajtur emrin e saj në faqet e para të lajmeve të showbiz.
Në vitin 2010, ajo u martua me biznesmenin kinez Wang Xiaofei, me të cilin pati dy fëmijë. Çifti u divorcua në vitin 2021 dhe vitin e ardhshëm Hsu u martua me ish-partnerin e saj, DJ dhe këngëtarin koreano-jugor Koo Jun-yup.





