Një udhëtim turistik drejt zonave më të largëta të planetit u kthye në një makth për pasagjerët e anijes MV Hondius, pasi shpërthimi i hantavirusit shkaktoi vdekjen e tre personave dhe izolimin e dhjetëra të tjerëve në karantinë.
Mes tyre është edhe 29-vjeçari Jake Rosmarin, i cili po kalon 40 ditë izolim në Njësinë Kombëtare të Karantinës në Omaha, Nebraska, pasi u riatdhesua nga anija së bashku me pasagjerë të tjerë amerikanë.
Rosmarin tregoi për BBC se jeta në karantinë ka hyrë tashmë në një rutinë të pazakontë. Çdo ditë, infermierët e pajisur me maska dhe mjete mbrojtëse trokasin në derën e tij për t’i kujtuar të kontrollojë temperaturën, ndërsa kontaktet me stafin mbeten minimale.
“Po përpiqem ta bëj dhomën të ndihet pak më shumë si shtëpi”, tha ai, duke treguar se ka porositur një dyshek të ri, jastëkë dhe disa sende personale për të përballuar izolimin.
Dhoma ku qëndron është e pajisur me krevat, televizor, biçikletë stërvitjeje dhe tavolinë, ndërsa ushqimi porositet çdo ditë përmes një menuje me kode numerike. Për mëngjes, ai tregoi se kishte zgjedhur vezë të fërguara, proshutë, mafin anglez dhe kafe.
Përvojën dramatike, Rosmarin e ka ndarë edhe në rrjetet sociale, ku fillimisht postimet e tij reflektonin frikë dhe pasiguri, ndërsa tani thotë se po përpiqet ta përballojë situatën më qetësisht.
“Mendoj se ende nuk më ka goditur plotësisht ajo që ndodhi”, u shpreh ai.
Sipas tij, momenti më i frikshëm ishte kur kapiteni i anijes informoi pasagjerët për rastin me hantavirus, vetëm pak orë para zbarkimit. Pas kësaj, shumë prej tyre u izoluan në kabina, ndërsa anija kërkonte një port që do ta pranonte.
Rosmarin tregoi se pasagjerët mbetën për ditë të tëra në bord së bashku me persona të sëmurë rëndë, pa ditur nëse ishin infektuar apo jo.
“Kur zbritëm nga anija, ndjeva sikur po na shpëtonin”, tha ai, duke përshkruar emocionet e momentit kur më në fund u larguan nga MV Hondius.
