Brenda administratës amerikane janë shtuar debatet mbi rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit me Iranin, ndërsa presidenti Donald Trump vijon të balancojë mes presionit ushtarak dhe rrugës diplomatike.

Sipas CNN, gjatë një takimi të zhvilluar të premten në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëspresidenti JD Vance dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, gjenerali Dan Caine, shprehën rezerva lidhur me pasojat që mund të sillte një zgjerim i operacioneve ushtarake kundër Teheranit.

Po sipas medias amerikane, pas afro dy javësh bombardimesh të njëpasnjëshme, Shtetet e Bashkuara duket se kanë vendosur përkohësisht në pritje fushatën ajrore. Një burim i Departamentit të Mbrojtjes deklaroi se operacionet janë pezull, ndërsa pritet të vlerësohet situata në terren.

Në diskutimet me presidentin Trump, gjenerali Caine ngriti shqetësime për nivelin e rezervave të municioneve amerikane dhe paralajmëroi se një konflikt më i gjerë mund të kishte pasoja të paparashikueshme. Burime të njohura me takimin thanë se ai i bëri të qartë presidentit se ushtria është në gjendje të zbatojë çdo urdhër, por njëkohësisht theksoi kostot dhe rreziqet që mund të shoqëronin një përshkallëzim të mëtejshëm.

Nuk është ende e qartë nëse këto paralajmërime ishin arsyeja kryesore e pezullimit të sulmeve, apo nëse bëhet fjalë për një pauzë taktike ndërsa administrata shqyrton hapat e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se diplomacia mbetet opsioni i preferuar. Drejtori i Komunikimit, Steven Cheung, deklaroi se presidenti Trump ka qenë vazhdimisht në favor të një zgjidhjeje të negociuar, por shtoi se të gjitha alternativat mbeten në tryezë nëse Irani vazhdon veprimet që SHBA i konsideron kërcënim për aleatët ose për lundrimin në ngushticën e Hormuzit.

Cheung theksoi se sanksionet ekonomike, të kombinuara me 13 ditë operacionesh ushtarake kundër objektivave iraniane, kanë rritur presionin ndaj Teheranit dhe se një marrëveshje diplomatike do të ishte zgjidhja më e favorshme. Në të kundërt, sipas tij, Irani është i vetëdijshëm për pasojat që mund të përballet.

Ndërkohë, administrata amerikane po përballet edhe me shqetësime mbi rezervat strategjike të armëve, të cilat mund të pakësohen më tej nëse fushata ushtarake rifillon me të njëjtin intensitet.

Pas mbledhjes me kabinetin dhe këshilltarët kryesorë, Trump deklaroi se kontaktet diplomatike me Iranin vazhdojnë, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e rifillimit të bombardimeve ose edhe të një operacioni më të gjerë ushtarak. Ai shtoi se Teherani po shfaq një qasje “më serioze” në negociatat që janë duke u zhvilluar.

Burime pranë administratës bëjnë të ditur se deri të premten pasdite po analizoheshin ende skenarët e mundshëm për një përshkallëzim të konfliktit. Shtetet e Gjirit kanë kërkuar vetëpërmbajtje nga Uashingtoni, megjithëse kanë pranuar se SHBA disponon kapacitete ushtarake që mund të ndryshojnë ndjeshëm dinamikën e luftës nëse vendos t’i përdorë.

Sipas CNN, edhe kur Trump kishte paralajmëruar publikisht mundësinë e një sulmi masiv ndaj Iranit, ai u kishte kërkuar negociatorëve të tij që të vazhdonin kontaktet diplomatike. Kjo, sipas burimeve, tregon përpjekjen e presidentit amerikan për të mbajtur të hapur kanalin e dialogut, ndërsa shqyrton alternativat ushtarake.

Megjithatë, brenda Pentagonit dhe rrethit të ngushtë të presidentit ekziston skepticizëm se një përshkallëzim i mëtejshëm do të arrinte objektivat strategjikë të Uashingtonit pa pasoja të konsiderueshme.

Edhe më herët, para shpërthimit të konfliktit, gjenerali Dan Caine dhe drejtues të tjerë ushtarakë kishin paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë se një luftë e zgjatur mund të ushtronte presion të madh mbi rezervat e armëve amerikane.

Nga ana e Pentagonit, zëdhënësi Sean Parnell deklaroi se ushtria amerikane mbetet plotësisht e aftë të zbatojë çdo mision të urdhëruar nga presidenti, duke theksuar se forcat e armatosura disponojnë kapacitetet dhe arsenalin e nevojshëm për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara.