Një marrëveshje që synon uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se ka shmangur kolapsin në momentet e fundit, pas një serie zhvillimesh që rrezikuan të çonin rajonin drejt një përshkallëzimi të ri.
Sipas raportimeve nga media pranë autoriteteve iraniane, bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit hynë në një fazë kritike pas një sulmi izraelit në periferi të Bejrutit, një zonë e konsideruar si bastion i Hezbollahut. Ngjarja shkaktoi reagim të fortë në Iran, ku zyrtarët po shqyrtonin pezullimin e kontakteve diplomatike me SHBA-në dhe mundësinë e një përgjigjeje ndaj Izraelit.
Burimet bëjnë me dije se ndërhyrja e administratës amerikane ka qenë vendimtare për të shmangur dështimin e procesit. Pas negociatave intensive, Uashingtoni raportohet se ka ofruar një sërë garancish politike dhe sigurie që bindën Teheranin të vijonte dialogun.
Mes pikave kryesore të dakordësuara përmenden respektimi i sovranitetit të Libanit, reduktimi i pranisë ushtarake izraelite në disa zona kufitare dhe masa për lehtësimin e tensioneve detare në rajon.
Marrëveshja parashikon vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe krijimin e një kornize të re negociuese që synon të adresojë çështjet më të ndjeshme mes dy vendeve. Qëllimi është shmangia e një konflikti më të gjerë dhe hapja e rrugës për një proces diplomatik afatgjatë.
Një ndër elementët më të rëndësishëm të paketës është rikthimi i lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për tregtinë globale të energjisë. Plani parashikon heqjen graduale të kufizimeve detare dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal për sigurinë e transportit në Gjirin Persik.
Po ashtu, palët janë dakorduar që brenda dy muajve të ardhshëm të nisin raunde të reja negociatash për programin bërthamor iranian, si dhe për mundësinë e lehtësimit të disa sanksioneve ekonomike. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, nuk parashikohen masa të reja ndëshkuese ndaj Iranit apo dislokime shtesë të forcave amerikane në rajon.
Në kuadër të marrëveshjes diskutohet gjithashtu zhbllokimi gradual i një pjese të aseteve financiare iraniane të ngrira jashtë vendit, ndërsa një mekanizëm ndërkombëtar monitorimi do të mbikëqyrë zbatimin e detyrimeve nga të gjitha palët.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi marrëveshjen si një arritje të rëndësishme diplomatike, duke theksuar se ajo mund të shërbejë si bazë për stabilitet më të madh në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ai paralajmëroi se Uashingtoni do të mbajë qëndrim të ashpër nëse nuk arrihet një zgjidhje përfundimtare për çështjen bërthamore.
Trump nuk kurseu kritikat as ndaj Izraelit, duke lënë të kuptohet se operacioni në Bejrut e vuri seriozisht në rrezik procesin negociues dhe mund të kishte minuar të gjithë përpjekjen diplomatike.
Sipas informacioneve të deritanishme, formalizimi i marrëveshjes pritet të bëhet gjatë një ceremonie në Zvicër, ku përfaqësuesit e palëve do të hedhin firmat mbi dokumentin përfundimtar. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sfida më e madhe nuk është arritja e marrëveshjes, por zbatimi i saj në terren dhe ruajtja e ekuilibrit në një rajon që mbetet ndër më të paqëndrueshmit në botë.
