Përveç rritjes së përhapjes së sëmundjeve që lidhen me nxehtësinë dhe infeksioneve tropikale, ngrohja globale mund të rrisë rrezikun e disa llojeve të caktuara të kancerit. Një studim i publikuar në “Frontiers in Public Health” tregon se ngrohja globale mund të kontribuojë në rritjen e rasteve të kancerit tek gratë, veçanërisht në vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Studiuesit nga Universiteti Amerikan në Kajro analizuan të dhëna nga 17 vende dhe zbuluan se për çdo gradë rritje të temperaturës, rritet ndjeshëm incidenca dhe vdekshmëria nga kanceri i gjirit, vezoreve dhe qafës së mitrës.

Ndikimi, është më i theksuar në vende me temperatura ekstreme si Katari, Bahreini, Arabia Saudite dhe Siria. Shkencëtarët theksojnë se ndotja e ajrit, ekspozimi ndaj kancerogjenëve dhe përkeqësimi i sistemeve shëndetësore për shkak të klimës mund të jenë faktorë ndikues. Ky zbulim sugjeron nevojën për të përfshirë ndryshimet klimatike në politikat e shëndetit publik, veçanërisht për mbrojtjen e grave.

Fati i një tumori nuk përcaktohet vetëm nga mutacionet që ndodhin në qelizat e sëmura: ADN-ja e trashëguar në lindje nga prindërit tanë luan gjithashtu një rol themelor dhe shpesh të anashkaluar, i cili mund të drejtojë se si formohet tumori, si evoluon dhe si reagon ndaj trajtimeve. Studimi u krye nga një grup studiuesish të udhëhequr nga Shkolla e Mjekësisë Icahn në Malin Sinai, bazuar në të dhënat e mbi 1 mijë pacientëve të prekur nga 10 lloje të ndryshme kanceri.

Rezultatet hedhin një hap të mëtejshëm drejt trajtimeve gjithnjë e më të përshtatura për individin: terapitë aktuale udhëhiqen kryesisht vetëm nga karakteristikat gjenetike të tumorit, ndërsa kërkimet sugjerojnë se marrja parasysh e gjithë trashëgimisë gjenetike të pacientit do të mundësonte përmirësimin e diagnozës dhe zgjedhjes së trajtimit.